Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar emërimin e Hysen Hudozit si ushtrues të detyrës së drejtorit të përgjithshëm.
Hudozi ka një përvojë të gjerë në RTK, ku punon që nga viti 2002, duke mbajtur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale, shkruan Gazeta Enigma.
Ky vendim u mor të enjten në mbledhjen e jashtëzakonshme.
“Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Bordit nëpërmjet një komunikate.
Ditë më parë ka dhënë dorëheqje zëvendësdrejtorit i përgjithshëm i RTK-së, Adi Krasta./GazetaEnigma/