Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për komunat Kamenicë dhe Viti, për muajin tetor 2024. Vendimi u mor në një mbledhje elektronike të mbajtur të premten në mëngjes.
Protestat e punëtorëve të arsimit në Viti, të cilët kishin protestuar në fillim të muajit para Qeverisë për shkak të mosprocedimit të pagave për muajin shtator, kishin nxitur këtë vendim, shkruan Gazeta Enigma.
Ministria e Financave kishte akuzuar komunën se nuk kishte siguruar në kohë buxhetin e nevojshëm.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kishte shprehur kritika ndaj Ministrisë së Financave dhe kishte kërkuar masa urgjente për zgjidhjen e situatës.
Ministria e Financave kishte sqaruar se disa komuna po përballen me mungesë buxheti në kategorinë e pagave për shkak të rasteve përmbarimore./GazetaEnigma/