Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar se këtë vit Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres të mjaftueshëm, i cili do të konsiderohej thelbësor për ecjen përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Raportit të Progresit, GLPS-ja ka vërejtur se Kosova ka arritur progres në dy kapituj: në kapitullin për Drejtësi, Liri dhe Siguri, si dhe në kapitullin për Politika Sociale dhe Punësim, njofton Gazeta Enigma.
GLPS-ja rekomandon adresimin e kritikave që Qeveria ka pranuar në këtë raport për administrimin e veriut, duke bërë thirrje për përpjekje të shtuar dhe koordinim më të mirë me komunitetin ndërkombëtar për të arritur rezultate konkrete në disa reforma, si dhe angazhim institucional në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Progres i mirë është vlerësuar në katër fusha, njëfarë progresi në 11 fusha, progres i limituar në 17 fusha, ndërsa dy fusha kanë mbetur pa progres. 18 fusha janë vlerësuar tërësisht njëjtë si në vitin 2023,” thuhet në komunikatën e GLPS-së.
Sa i përket kritereve politike, Raporti kritikon Kuvendin për mosfunksionim të duhur për shkak të ndarjeve politike mes qeverisë dhe opozitës. GLPS-ja ka vërejtur se shumica e seancave të Kuvendit janë anuluar dhe se agjenda legjislative nuk është përmbushur siç duhet.
Në lidhje me reformat në administratën publike, theksohet se Qeveria vazhdon të mos marrë parasysh shumicën e rekomandimeve të BE-së, përfshirë ato që lidhen me amandamentimin e Ligjit për Zyrtarët Publik (LZP). GLPS-ja vlerëson se LZP është në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD, duke e degraduar funksionimin e shërbimit civil, për shkak të cenimit të konkurrencës, si një shtyllë kryesore e meritokracisë./GazetaEnigma/