Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bënë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në përvjetorin e 35-të të rënies së tyre heroike.
Kurti përkujtoi ngjarjet e asaj kohe, duke theksuar se luftimet në lagjen “Bregu i Diellit” zgjatën mbi gjashtë orë, ku këta heronj luftuan për çlirimin e Kosovës nga forcat okupatore serbe, shkruan Gazeta Enigma.
“Afrimi dhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta, udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave të fuqishme të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht, kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit të vitit 1989, meqë masës demonstruese i është drejtuar Afrim Zhitia.Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë, pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej, pasi një javë më vonë do të shembej Muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste aparteidi”, tha Kurti,
Ai nënvizoi se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore dhe se organizimi i aktivitetet bëhej nga brenda Kosovës, në një kohë kur Serbia po vendoste aparteidin pas heqjes së autonomisë.
Kryeministri theksoi se në ato rrethana u kalitën veprimtarët më të denjët dhe heronjtë e Kosovës. Ai e përmendi rëndësinë e kontributit të dëshmorëve, duke theksuar se pjesa më e madhe e punës është bërë nga ta, dhe se detyra e tashme është të jepet maksimumi për të vazhduar rrugën që ata e ndriçuan./GazetaEnigma/