Ka përfunduar pjesa e parë mes Real Madridit dhe Milanit në kuadër të rrethi të katërt të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Rossonerët kaluan të parët në epërsi, ndërsa Los Blancos shënuan përmes një penaltie kontroverse për 1-1, por që Alvaro Morata ua riktheu epërsinë italianëve në fund të 45 minutave të parë.
Ishte minuta e 12-të e takimit kur Cristian Pulisic harkoi nga goditja prej këndit, derisa Malik Thiaw ishte në vendin e duhur dhe shënoi për 1-0.
Madrilenët u aktivizuan më pas me të gjitha forcat në tentim për ta barazuar rezultatin.
Dhe kjo gjë ndodhi në minutën e 23-të përmes një penalltie që ngjalli jo pak reagime nga lojtarët mysafir.
Emerson Royal bëri një ndërhyrje në zonë duke u munduar ta bllokonte Vinicius Juniorin, me këtë të fundit që u rrëzua lehtas në zonë.
Anësori brazilian e mori përgjegjësinë që të gjuante, dhe ia doli të shënonte për t’i barazuar shifrat.
Tijjani Reijnders rrezikoi në minutën e 31-të, mirëpo nuk arriti të befasonte Andriy Luninin që bëri pritje bravuroze.
Por, tetë minuta më vonë, Morata riktheu epërsinë e Milanit, kur shënoi për 2-1 me një asistim të Rafael Leaos.
Kylian Mbappe lëshoi një mundësi të artë shënimi në minutën e 43-të, pasi nuk ia doli të mposhte Mike Maignanin kur ishte ballë për ballë.
Duket se Real Madridi ende nuk është këndellur nga humbja e Barcelonës në El Clasico, por mbetet të shihet në 45 minutat e dytë.