Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se nëse do të dëshironin që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë një OJQ do ta formonin vetë atë.
Petkoviq që udhëheq delegacionin serb në bisedimet e nesërme me Kosovën ka arritur sot në Bruksel.
I pyetur për të komentuar deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA dhe të Dërguarit Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer se zbatimi i Asociacionit është i rëndësishëm, por sipas kushtetutës së Kosovës, Petkoviq theksoi se” është e rëndësishme të kuptohet që zyrtarët serbë vijnë në Bruksel për të negociuar sepse ata nuk e njohin Kosovën dhe kushtetutën e tyre”
“Zgjidhjet politike adoptohet brenda dialogut që duhet të implementohet në Prishtinë dhe Beograd. Kjo është qartë e deklaruar në planin për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit, ku thuhet se dy palët duhet të përgatisin një kornizë ligjore për implementimin e marrëveshjeve të arritura”, tha Petkoviq për Tanjug, transmeton Gazeta Express.
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi për marrëveshjen mbi parimet e përgjithshme nga viti 2015 dhe hodhi poshtë 22 nga 23 parimet që ranë dakord mbi funksionimin dhe ekzistencën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
“Nga 23 parime që ranë dakord për funksionimin dhe ekzistencën e Asociacionit, ku përcaktohen qëllimet, kompetencat, struktura, mënyra e ekzistencës, ne arritëm në faktin se gjykata e tyre hedh poshtë 22 dispozita nga 23 të tilla, -Çfarë mbetet nga marrëveshja vetëm titulli i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? ” tha Petkoviq.
Ai tha se nëse Serbia do të dëshironte, nuk do të kishte shkuar në Bruksel tetë vjet më parë, por do të kishte formuar një organizatë joqeveritare me dhjetë njerëz tanë në Mitrovicë, e cila do të quhej ashtu.
“Ne nuk duam një organizatë joqeveritare, por atë për të cilën kemi rënë dakord në Bruksel dhe atë për të cilën jemi zotuar, dhe kjo është Asociacionit me kompetenca të qarta, qëllime, një komunitet që mundëson të drejtat kolektive të serbëve në Kosovë”, përfundoi Petkoviq.