Mministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Vilnius.
Gjatë këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe çështje të tjera me rëndësi për të dyja shtetet, shkruan Gazeta Enigma.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në qendër të takimit ishin sfidat e përbashkëta të sigurisë, kërcënimet në rritje për vendet demokratike në rajon dhe Evropë si dhe bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Lituanisë.
“Të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë”.
“Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur të Lituanisë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe aspiratave të saj për integrim euroatlantik”.
” Ajo vuri gjithashtu në pah mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën dhe paraqiti progresin e Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit dhe rritjen ekonomike, fusha ku Kosova qëndron shembull në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim./GazetaEnigma/