Përplasje verbale në Kuvend, Murati – opozitës: Pse po ju vjen inati, mos të ju vjen inati

Përplasje verbale në Kuvend, Murati – opozitës: Pse po ju vjen inati, mos të ju vjen inati


Ministri Hekuran Murati pati një përplasje verbale me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajramin për shifrat e ofruara nga Qeveria lidhur me ekonominë e vendit, shkruan Gazeta Enigma.

“Nëse e shikojmë dekadën kur ju keni qeverisur, janë vetëm dy vjet kur ka pasur rritje të të hyrave buxhetore. Të vetmet raste kur ju keni pas rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore janë kur i keni rritur taksat në barrë të qytetarëve”, është shprehur Murati.

Ministri ka shtuar se ka pasur dyfishim të eksportit gjatë këtij mandati.

“Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët. Nuk ndaj mendimin me ju që ndikimi i këtyre masave është zero. Pyetni ato gra për ndikimin. A e shohim sa investime kapitale keni bo ju nëse e përjashtoni autostradën… asnjë vit për mbi 200 milionë euro s’ka kaluar…Sa i përket rritjes ekonomike, më lejoni të them që përkundër sfidave globale, ekonomia asnjëherë nuk ka ra nën 4 për qind rritje. Për juve 4 për qind ka qenë mesatarja në kushte normale. Rritja 3-4 për qind që e keni pas ju është për shkak të deficitit”, ka shtuar Murati.

Ndërsa Bajrami, i ka reaguar ashpër ministrit të Financave, Muratit, duke i thënë “Qysh bre ministër mundesh me thënë përjashtonë autostradën, pse a e ka marrë Qeveria me veti në shpi autostradën a, qysh me përjashtu autostradën, a nuk i bjen ti në autostradë për Shkup kur të shkojsh, për Shqipëri a nuk i bjen nëpër autostradë”, tha Bajrami.

“A e din ku ke ngel, te ura e Badocit 34 metra, kush është tu t’pengu, cila Gjykatë Kushtetuese”, vazhdoi tutje ajo.

E në një moment të caktuar Murati teksa mori fjalën, u shkaktua zhurmë nga opozita me ç’rast ai tha se “pse po ju vjen inati, mos të ju vjen inati”.  / Gazeta Enigma.



Related Articles