Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar lartë ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, që është zhvilluar kohët e fundit dhe që është konsideruar si ushtrimi më i madh i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ushtrimi, që përfshiu mbi 1000 ushtarë pjesëmarrës, u mbajt me qëllimin e përmirësimit të gatishmërisë dhe aftësive operacionale të forcave të sigurisë, shkruan Gazeta Enigma.
“Sot me sukses të lartë, Forca e Sigurisë së Kosovës zhvilloi ushtrimin fushor “Ujku i Çeliktë”, më të madhin të realizuar ndonjëherë nga ushtria jonë, me mbi 1000 ushtarë pjesëmarrës duke dëshmuar shkathtësi dhe përgatitje të jashtëzakonshme në aspektin e organizimit, ndërveprimit dhe taktikave luftarake”, shkruan ministri Maqedonci në Facebook.
Ndryshe prezent në këtë ushtrim të ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Bashkim Jashari dhe përfaqësues nga NATO, shtetet aleate, akter institucional dhe zyrtarë tjerë ndërkombëtar.
“Me anë të këtij ushtrimi gjithashtu është validuar regjimenti i dytë i komandës së forcave tokësore të cilët janë në gjendje të kryejnë detyra të veçanta dhe komplekse me efikasitet të lartë”, shkruan Maqedonci./GazetaEnigma/