Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Leka Zogun, por dënimi me burg t’i konvertohet në shërbim prove, pas dhunës së ushtruar ndaj ish-bashkëshortes Elia Zaharia dhe babait të saj.
Po kështu 6 muaj heqje lire u kërkua edhe për Elia Zaharinë dhe në të njëjtën kohë pezullimin e këtij dënimi dhe vënien në shërbim prove për 6 muaj.
Për babain e saj, Gjergj Zaharia prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin me 1 vit burg dhe në fund pezullimin e këtij dënimi dhe vënin në provë për 12 muaj.
Seanca për shpalljen e vendimit pritet të jepet me 13 dhjetor. Hetimet nisën pas publikimit të një video që u xhirua nga Leka Zogu ku ai shihet teksa dhunohet nga bashkëshortja dhe babai i saj, por edhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje. Konflikti ka ndodhur në mars të këtij viti në rezidencën e familjes mbretërore.
Në dëshminë e tij, Princ Leka tregonte se konflikti kishte nisur fillimisht me ofendime dhe më pas përfundoi në dhunë. Nga ana tjetër babë e bijë pretenduan se edhe ata janë viktima të dhunës. Ekspertiza mjeko ligjore ka gjetur gjurmë të dhunës tek të tre personat e përfshirë, dhe mesa duket edhe prokuroria këtu ka bazuar edhe pretencën që e sheh çiftin mbrëteror dhe vjehrrin e princit, si përgjegjës.
Në prill të këtij viti Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e martesës mes Leka Zogut dhe Elia Zaharisë. Divorci mes çiftit është bërë me dakortësinë e të dy palëve.
I kontaktuar nga Abc News avokati i princ Lekës, Aranit Roshi tha se të dyja palët kanë firmosur një deklaratë noteriale ku kanë sheshuar të gjithë mosmarrëveshjet ligjore dhe kanë rënë dakord të gjejnë gjuhën e përbashkët, megjithëse të ndarë, për të rritur vajzën e tyre.