Ibrahimi për ndarjen e buxhetit për vitin 2025, i pamjaftueshëm për komunat

Ibrahimi për ndarjen e buxhetit për vitin 2025, i pamjaftueshëm për komunat

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur pakënaqësi për buxhetin e planifikuar për komunat për vitin 2025, raporton Gazeta “Enigma”.

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se me buxhetin e planifikuar, komunat e Kosovës do të përballen me një ulje të fondeve nga buxheti shtetëror.

“Sipas analizave të asociacionit, komunat do të kenë mangu mjete në raport me vitin e kaluar. Me buxhetin e planifikuar për vitin 2025, komunat do të marrin 21.8% të buxhetit në total. Kurse gjatë vitin 2024, kanë përfituar rreth 22.4%.Shto këtu edhe problemin me kontratat kolektive ku komunave ju kanë marr padrejtësisht mbi  60 milionë euro”, tha ai për RTK.

Përveç kësaj, problem në këtë situatë, sipas tij, është edhe mosmiratimi i Grantit IV për investime kapitale, si dhe faktit ku mbi 60 milionë euro janë hequr nga buxhetet komunale deri tani gjatë këtij viti për zbatim të kontratave kolektive. Ai shton se në ndarjet buxhetore, Qeveria ka bërë dallime nëpër komuna.

Mirëpo, kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet, Armend Muja, nuk pajtohet me Ibrahimin. Ai thotë se buxheti i ndarë për komunat ka shënuar rritje vitet e fundit.

“Për komunat për vitin 2025 janë paraparë 788 milionë euro. Krahasuar me kohen kur ne nuk ishim në pushtet, kanë qenë të alukuara 544 milionë euro. Që nga koha kur ke kemi ardh, për komunat ka pasur rritje të buxhetit në vlerë 247 milionë euro. Përveç Grantit të rregullt është edhe ai në kuadër të buxhetit për infrastrukturë diku 50 milionë euro,  në bashkëfinancim me komunat për projektet kapitale. Pra, veç këtij buxheti është edhe një buxhet tjetër që u është alukuar komunave”, theksoi Muja.

Për kontratat kolektive Muja thotë se janë në diskutim për mënyrën se si do të trajtohet çështja e tyre.

Njohësit e fushës së ekonomisë thonë se problemi nuk qëndron të planifikimi sa është të mos-realizimi i projekteve kapitale.

“Nuk ka ndonjë efekt të madh kur kemi parasysh se në vitet e fundit jemi përballuar me sfida dhe niveli i të ardhurave që është paraparë për disa kategori, nuk janë të mjaftueshme për mbulimin me normën e inflacionit. Nuk pres ndonjë risi që do të ndikoi, vetëm është një vazhdimësi e atë çfarë ka ndodhur edhe në vitet e kaluara”, tha Bashkim Mustafa, njohës i çështjeve ekonomike.

Sipas një analize të publikuar nga Instituti GAP për “Planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2025″, 15 komunat e përfshira tregojnë se ka një rritje prej 2-11% të buxheteve vjetore për vitin 2025. /Gazeta Enigma/

Related Articles