Biden: Ne mbështesim fuqishëm sovranitetin e Ukrainës

Biden: Ne mbështesim fuqishëm sovranitetin e Ukrainës

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka përmendur sërish mbështetjen e Qeverisë amerikane për Ukrainën, teksa ka folur në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20) që po mbahet në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

Megjithatë, ai nuk e ka përmendur direkt vendimin e përfolur për t’i dhënë Ukrainës dritën e gjelbër për përdorim të raketave me rreze të gjatë.

“Ne të gjithë duhet të punojmë për t’iu dhënë fund konflikteve dhe krizave që janë duke gërryer përparimin drejt përmirësimit të sigurisë në botë”, ka thënë Biden.

Ai ka thënë se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

“Secili në këtë tavolinë, sipas bindjes sime, duhet të veprojë njëjtë”, ka thënë Biden.

Më herët gjatë ditës, Kremlini e ka akuzuar Bidenin se po synon të përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë me heqjen e kufizimeve në armët me rreze të gjatë.

Këto deklarata janë bërë pas raportimeve të disa mediave se Biden ka dhënë leje që ukrainasit t’i përdorin armët amerikane më thellë në sulmet kundër Rusisë.

Vetë Shtëpia e Bardhë nuk i ka komentuar këto raportime.

Këto zhvillime vijnë pas disa muajve të lobimit të zyrtarëve ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, që shtetet e Perëndimit t’i japin Kievit dritën e gjelbër për të përdoruar armët për të qëlluar shënjestrat më larg.

Shtetet e Bashkuara, dhe disa vende të NATO-s, kanë vendosur deri më tani kufizimin se deri në çfarë distance mund të përdoren armët.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar në shtator se Rusia mund të përgjigjet me armë bërthamore nëse ndaj saj nisen raketa konvencionale, dhe që Moska e konsideron çdo sulm ndaj saj, të mbështetur nga një fuqi bërthamore, si sulm të përbashkët.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Related Articles