Murati kritikon Prokurorinë Speciale se po e lufton Kurtin, reagon Mustafa i PDK-së

Murati kritikon Prokurorinë Speciale se po e lufton Kurtin, reagon Mustafa i PDK-së

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Prokurorinë Speciale se po “ia bën argatin opozitës”.  Ai ka thënë se Prokuroria Speciale s’po interesohet ta luftojë korrupsionin, por po interesohet “ta luftojë Albin Kurtin”. 

Murati përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se opozita po shpif e po bën propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. 

“…Nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë.  Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin. Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për ‘kontratat njëburimore’ (termi i përdorur nga opozita), e jo ‘kontratat me procedurë të negociuar’ siç është termi zyrtar”, ka shkruar Murati.

Ministri Murati ka shtuar se shifrat e përdorura nga opozita për këtë lloj tenderësh përfshijnë edhe institucionet e pavarura, komunat dhe ndërmarrjet publike.

“E dyta, shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet – qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike.  Prandaj edhe përdorimi i këtyre shifrave duke thënë se janë qindra miliona euro e mijëra kontrata duke ia atribuuar qeverisë qendrore, është manipulim vetëm e vetëm për të krijuar përshtypjen te qytetari se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të madh, se përndryshe kush ka guximin të gënjejë për diçka kaq të madhe.”

Murati ka thënë se tenderët me procedurë të negociuar janë përdorur më së shumti në vitet 2008 me 19.9 për qind dhe në vitin 2015 me 16.1%.

“Dhe e treta, nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%. Në grafikon, me vijë të kuqe është paraqitur përqindja e vlerës së kontratave me procedurë të negociuar në raport me vlerën totale të kontratave, nëpër vite. Edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2015, në qeverisje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Madje në vitin 2015 ka qenë ministre edhe deputetja Bajrami, e cila është aq e zellshme të “denoncojë” këtë metodë të prokurimit.”

Ai e ka akuzuar Prokurorinë Speciale se nuk është e interesuar ta luftojë krimin dhe korrupsion, ndërsa ka shtuar se kjo prokurori synon të bëhet “argat” i opozitës ndaj Kurtit.

Në fund, Murati ka thënë Prokuroria Speciale i dërgon shkresa institucione duke i kërkuar dokumentacion për këto kontrata.

“E nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë. Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin. Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për “kontratat njëburimore” (termi i përdorur nga opozita), e jo “kontratat me procedurë të negociuar” siç është termi zyrtar”, ka shkruar Murati.

E anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj Muratit në Facebook. 

Ai ka thënë se janë dhënë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti “2123 kontrata njëburimore, me vlerë totale 273 milionë euro”. 

“Ministri i Financave, i cili deri më tani asnjëherë nuk ka folur për ndonjë politikë zhvillimore, kësaj radhe e paska marrë përsipër propagandën për  arsyetimin e kontratave njëburimore. Deri më tani i kanë dhënë hiq më pak se 2123 kontrata njëburimore, me vlerë totale prej 273 milionë euro! Këto kontrata, të dhëna me negocim direkt dhe pa ndonjë arsye për shmangie nga procedurat e tenderimit të hapur, nuk kanë sesi të kenë emër tjetër përveç korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike. Ka ardhur koha që të kalojmë nga vlerësimi i fjalëve, te vlerësimi i veprave të tyre”, ka shkruar Mustafa. 

Related Articles