Konventa e Drurit, Kurti: Kosova po e gdhend një vend të veçantë në tregun global

Konventa e Drurit, Kurti: Kosova po e gdhend një vend të veçantë në tregun global

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 7-të të Konventës së Drurit, organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e saj.

Para të pranishmëve, në fjalën e tij hyrëse, Kurti tha se industria jonë e përpunimit të drurit ka parë rritje mbresëlënëse, ku eksportet vetëm në tre tremujorin e parë të këtij viti kanë arritur nivelin total të vitit të kaluar.

“Ne kemi rreth 1,000 kampionë të mobilerisë, që formësojnë aktivisht këtë sektor, një dëshmi e përkushtimit, produktivitetit dhe krijimtarisë së tyre. Zvicra kryeson si destinacioni kryesor për eksportet tona të mobileve, e ndjekur nga Gjermania. Pra, me plot gojën mund të themi se Kosova po e gdhend një vend të veçantë në tregun global”, u shpreh Kurti.

Ai tha se si shtet, aspirojmë që të jemi më të mirët në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në demokraci, sundim të ligjit, pluralizëm politik, të drejta të njeriut, rritje të brutoproduktit vendor dhe shifra tregtare, por edhe në kultivimin e një fryme të inovacionit e të bashkëpunimit.

Në komunikatën për media më tutje bëhet e ditur se duke potencuar faktin se industria e përpunimit të drurit në Kosovë po fiton vëmendje të madhe, shefi i qeverisë përmendi disa faktorë të rëndësishëm, si vendndodhjen strategjike, potencialin bashkëpunues, si dhe talent krijues, faktorë këta, të cilët japin mundësi për zgjerim të investimeve në këtë sektor. “Gjithashtu, edhe marrëveshja jonë e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, e forcon më tej pozicionin tonë, duke hapur dyer që Kosova të luajë një rol qendror në tregjet rajonale dhe globale”, tha ai.

“Strategjia jonë kombëtare për zhvillimin e këtij sektori (të drurit) e ka mbështetjen e plotë të secilës ministri, jo vetëm thjeshtë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po të secilës ministri, të secilës drejtori edhe timin si kryeministër, tek i cili nuk duhet ta shihni vetëm dikë që garanton me sundim të ligjit konkurrencën e lirë dhe fer, por gjithashtu edhe bashkëpunimin e partneritetin si një infrastrukturë politike e institucionale për rritjen tuaj biznesore dhe ekonomike”, deklaroi kryeministri Kurti.

Në përfundim të fjalës së tij, ai tha se, shkathtësia për të ndryshuar, qëndrueshmëria dhe inovacioni—këto nuk janë thjesht fjalë; ato janë thelbi i identitetit tonë. Këto vlera e bëjnë Kosovën vendin e duhur për të investuar, bashkëpunuar dhe për t’u rritur.

Related Articles