Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë ditës ka folur për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Ai njoftoi se mund të ketë edhe arrestime të tjera lidhur me rastin.
“Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, tha Hoxha ai për RTK-në, transmeton Gazeta Enigma.
Hoxha tha se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka.
“Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, shtoi ai.
I pari i Policisë, ndër të tjera tha se ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit të Ibër Lepencit.
Situata në veri të vendit, pas këtij sulmi mbetet e brishtë. Sulmet e njëpasnjëshme nga grupet kriminale në katër komunat veriore të vendit, e në veçanti sulmi ndaj infrastrukturës kritike, ka bërë që policia ta shtojë masat e sigurisë. /Gazeta Enigma