BE i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin deklaratat përshkallëzuese lidhur me rastin në Ibër-Lepenc

BE i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin deklaratat përshkallëzuese lidhur me rastin në Ibër-Lepenc

Bashkimi Evropian nuk e ka mohuar e as pohuar përfshirjen e shtetit të Serbisë në shpërthimin në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, por thanë për Gazetën Enigma se kanë nënvizuar ndihmën që shteti serb ofroi për zhvillimin e hetimeve në lidhje me këtë incident.

“Në këtë aspekt, nënvizojmë se Serbia ka shprehur mbështetje për përpjekjet hetimore. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përdorin mirë Marrëveshjen e vitit 2013 për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike, përmes së cilës PSBE-ja në Kosovë lehtëson transmetimin e kërkesave për Ndihmë Juridike të Ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mjedis jashtëzakonisht të paqëndrueshëm, ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të shmangin deklaratat përshkallëzuese dhe të përmbahen nga çdo hap që do të përkeqësonte situatën në terren”, tha zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një përgjigje për Gazetën Enigma.

Hipper tha se Bashkimi Evropian e dënon “me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist”.

“Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës. BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në përgjigjen e BE-së për “Enigmën”.

Tutje në përgjigje, BE-ja tha se veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë.

“Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet”.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi”, përfundon reagimi i BE-së. /Gazeta Enigma

Related Articles