Kurtit në Sarajevë, ministrat nga Republika Sërpska bojkotojnë mbledhjen e Këshillit

Kurtit në Sarajevë, ministrat nga Republika Sërpska bojkotojnë mbledhjen e Këshillit

Ministrat nga Republika Sërpska (RS) nuk do të marrin pjesë të enjten, më 5 dhjetor, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës (BeH), për shkak të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Sarajevë, njoftoi zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Stasha Kosharac.

Ai tha se vendimi është marrë pas konsultimeve në kabinetin e tij, ku morën pjesë ministri i Financave në Këshillin e Ministrave, Srxhan Amixhiq, zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, zëvendësministrja e Çështjeve Civile, Marijana Mujiq, dhe zëvendësministri i Komunikacionit dhe Transportit, Ognjen Janjiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbërrijë në Sarajevë të enjten në mbrëmje, konfirmoi një ditë më parë për Radion Evropa e Lirë Adil Kullenoviq, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”.

Ai tha se Kurti vjen për të marrë pjesë në një sesion të organizuar nga kjo shoqatë një ditë më vonë në Sarajevë, ku do të mbajë një fjalë hyrëse.

“Në sesion do të diskutohet për marrëdhëniet në rajon”, tha Kullenoviq për REL-in.

Kryetari i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, deklaroi se ardhja e Kurtit në Sarajevë do ta komplikojë situatën në Bosnje e Hercegovinë.

“BeH nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik, sipas raportimit të Srnas.

Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Kurti kishte deklaruar në mes të tetorit, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, se Kosova nga 1 janari 2025 do t’i lejojë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës të hyjnë me letërnjoftim.

Marrëveshja që do të hiqte regjimin e vizave midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës dhe do t’u mundësonte qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.

Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.

Related Articles