FMN përgëzon Kosovën për “punën e mirë” në zhvillimin ekonomik

FMN përgëzon Kosovën për “punën e mirë” në zhvillimin ekonomik

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua me Zëvendës Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, Bo Li përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e saj të mirë në fushën e zhvillimit ekonomik, duke theksuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, menaxhimin e mirë fiskal dhe implementimin e reformave strukturore.

Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, si dhe përgëzoi Qeverinë për suksesin në zbatimin e programeve Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF), thuhet tutje në njoftim.

Duke e falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer, Bislimi e informoi Bo Li-në mbi zhvillimet më të fundit në vend, duke theksuar se trendët e mira ekonomike nga vitet e mëparshme kanë vazhduar edhe këtë vit.

Ndër të tjera, ai përmendi rritjen e eksporteve, atë të investimeve të huaja direkte dhe uljen e inflacionit.

Bislimi po ashtu deklaroi se të hyrat dhe shpenzimet buxhetore janë rritur në masë të konsiderueshme, ndërsa është forcuar tutje qëndrueshmëria fiskale.

Në përfundim, palët diskutuan për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe angazhimin e përbashkët për zbatimin e programeve dhe projekteve të ardhshme.

Related Articles