Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës.
Gjatë vizitës në Sarajevë, ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq.
Beqiroviq tha se me kryeministrin kosovar u pajtua se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Sipas një njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, Beqiroviq tha se disa politikanë nga entiteti i Republikës Sërpska duhet të ndalojnë “propagandën e stilit të Joseph Goebbelsit” – që ishte ministër i Propagandës në Gjermaninë Naziste – sa i përket ndërveprimit me Kosovën.
“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse të gjithëve u është bërë e qartë se për një vendim të tillë nevojitet konsensus në Presidencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Njerëzit e përgjegjshëm gjithmonë duhet të këmbëngulin në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në biseda konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit. Askush nuk do të lejohet të mendojë se mund të disiplinojë udhëheqësit e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të përcaktojë me kë, ku dhe kur mund të bisedojnë. Kjo është diçka që duhet ta harrojnë përgjithmonë”, tha Beqiroviq.
Në takim, Beqiroviq po ashtu tha se është vlerësuar si i rëndësishëm vendimi i Kosovës për lëvizjen me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës drejt Kosovës. Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha shtetet të përmbushin obligimet e tyre që dalin nga Procesi i Berlinit.
Kurti kishte deklaruar në mes të tetorit, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, se Kosova nga 1 janari 2025 do t’i lejojë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës të hyjnë me letërnjoftim.
Marrëveshja që do të hiqte regjimin e vizave midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës dhe do t’u mundësonte qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Beqiroviq po ashtu e falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen në promovimin e të vërtetës dhe drejtësisë për gjenocidin ndaj boshnjakëve.
Kuvendi i Kosovës më 7 korrik 2021 ka miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik 1995. Rezoluta ndalon mohimin e gjenocidit dhe kërkon shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë.
Gjatë vizitës në Bosnje, përveç takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Kurti ka bërë homazhe pranë Memorialit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, për të nderuar 1.601 fëmijët e vrarë gjatë rrethimit të këtij qyteti nga forcat serbe në vitet 1992-1996.