Aktakuza për ndërhyrje në drejtësi, Hajredin Kuçi të hënën paraqitet në Hagë

Aktakuza për ndërhyrje në drejtësi, Hajredin Kuçi të hënën paraqitet në Hagë

Ish-Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do të paraqitet të hënën para Gjykatës Speciale në Hagë, lidhur me aktakuzën që iu konfirmua për ndërhyrje në drejtësi.

Seanca do të mbahet në orën 10:00 dhe mund të ndiqet në gjuhët shqipe, anglishte ose serbishte përmes faqes së transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me një vonesë prej 10 minutash, ose nga galeria për publikun në selinë e Gjykatës, raporton Enigma.

“Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Ndaj tij, Specialja ka lëshuar fletëthirrje.

“Hajredin KUÇIT i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në njoftim.

ZPS pretendon se Hashim Thaçi i jepte informacione konfidenciale Kuçit në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënte këtë.

“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet tutje në njoftim.

Related Articles