Ish ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është deklaruar në seancën fillestare të së hënës të Speciales ku ka thënë se këtë aktakuzë e sheh si prekje të dinjitetit të tij, si dhe beson që do të dalë i pafajshëm, raporton Gazeta Enigma.
“Besimi në Zot dhe në drejtësi nuk e luhati edhe kur sfidohem personalisht, unë me bindje çdoherë jam në anën e tyre”, tha ndër të tjera ai.
“Më lejoni të jem i qartë: Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vitet e gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku, ne kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj.. Unë si jurist kam përdorur sloganin: Sundimi i ligjit me ligj. Edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë. Puna ime është identifikuar në funksion të drejtësisë, në respektimin e vendimeve gjyqësore, në besimin në drejtësi dhe jo në mosbindje të urdhrave ndaj gjykatës, çfarë thotë akuza”, thekoi Kuçi.
Fjala e plotë e Kuçit në Speciale:
Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si një njeri i drejtësisë, që e ka mision tërë jetën dhe jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë përmbi 30 vite, si ish-kryetar i komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës që Kushtetuta është ende në fuqi, si zv. kryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtar i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli pranë kësaj gjykate, këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional por edhe të reputacionit tim.
Drejtësinë si profesion edhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj, të atyre vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që kjo akuzë ju ka bërë anëtarëve të familjes sime. Ju ka bërë studentëve dhe kolegëve të mi, ju ka bërë shokëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë ju them atyre edhe sot: Unë jam i njëjti, ai që kam qenë para datës 06 dhjetor 2024. Nuk do ta zhgënjej askënd. As ju, as drejtësinë.
Më lejoni të jem i qartë: Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vitet e gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku, ne kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj.. Unë si jurist kam përdorur sloganin: Sundimi i ligjit me ligj. Edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë. Puna ime është identifikuar në funksion të drejtësisë, në respektimin e vendimeve gjyqësore, në besimin në drejtësi dhe jo në mosbindje të urdhrave ndaj gjykatës, çfarë thotë akuza.
Edhe në kohën kur isha në ekipin mbrojtës, edhe atëherë kur kam pasur mundësi që përmes ligjit dhe protokollit të kësaj gjykate të takohem me dëshmitarë, këtë të drejtë nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë. Nuk kam dashur që të fitohet përceptim për ndonjë keqkuptim eventual. Sikurse e thashë në fillim, drejtësia për mua është mision dhe profesion. Do të vazhdon edhe sot dhe do të duket kështu edhe në të ardhmën. Besoj që të gjithë në këtë sallë jemi në anën e drejtësisë. Besimi në Zot dhe në drejtësi nuk e luhati edhe kur sfidohem personalisht, unë me bindje çdoherë jam në anën e tyre.