A po dështon misioni i Speciales?- Mbizotërojnë akuzat për pengim të drejtësisë

A po dështon misioni i Speciales?- Mbizotërojnë akuzat për pengim të drejtësisë

Aktakuza e re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, e ka ndryshuar ndjeshëm numrin e të akuzuarve për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë në Speciale.

Në Gjykatën Speciale, në proces janë tri raste për krime lufte e krime kundër njerëzimit dhe tri të tjera për ndërhyrje te dëshmitarët, njofton Koha.net, transmeton Gazeta Enigma.

Amer Alija, ekspert ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, është shrpehur se numri më i madh i të akuzuarve ngarkohen për vepra penale që lidhen me ndërhyrje te dëshmitarët e pengim të punës së Gjykatës e  të Prokurorisë.

“Në këto tri procese janë të akuzuar tre persona. Për dy prej këtyre proceseve kemi vendim të formës së prerë, ndërsa për tetë të tjerë janë në procedura gjyqësore… Pra, te tri procedurat për krime lufte janë të akuzuar gjashtë persona”, ka thënë Alija.

Ai thotë se veçanti e aktakuzës së re është që të akuzuar janë Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi, që kanë qenë në procesin më të madh të Speciales, njëri si i akuzuar e tjetri si avokat.

“Mund të themi që në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe personat të cilët kanë qenë palë në procedurë, është i akuzuar edhe me një rast tjetër e po ashtu, Hajredin Kuçi është i angazhuar në mbrojtjen e Veselit, pra në këtë aktakuzë kemi edhe personat, të cilët janë palë në procedurën tjetër për krime lufte në krahasim me akuzat e tjera, në të cilat nuk kanë qenë palët, por persona të tjerë”, ka thënë ai.

Sipas tij, është herët të flitet për rëndesën e akuzave, pasi ende nuk është folur për provat në këtë rast. Ngjashëm shprehet edhe avokati Artan Qerkini.

Qerkini i ka pasur 10 klientë që janë hetuar nga ZPS-ja, e për të cilët beson se hetimet janë përmbyllur. Ai thotë se shumica e tyre kanë qenë të dyshuar për ndikim te dëshmitarët e Speciales.

“Mund të them se janë më shumë se 10 raste, për të cilat shpresojmë se nuk do të ngrihet fare aktakuzë, sepse ka kaluar një kohë e gjatë nga fillimi i hetimeve dhe nuk ka pasur aktakuzë. Ne jemi të bindur se për të gjithë ata, nëse do të kishte prova, do të ngrinte aktakuzë”, ka thënë Qerkini.

 Në ZPS nuk komentuan mbi pohimin se shumica e rasteve për frikësim të dëshmitarëve janë përmbyllur me pushim të hetimeve. Megjithëkëtë, thanë se mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të proceseve të Dhomave të Specializuara e shohin si çështje serioze.

“ZPS-ja nuk komenton lidhur me hetimet apo aktakuzat e saj. Redaktimet bëhen në mënyrë që të mbrohen dëshmitarët. Administrimi i drejtësisë është fondamental për sundimin e ligjit. Në gjykimet e saj deri më tani, Dhomat e Specializuara kanë konstatuar se ka “klimë të frikësimit të dëshmitarëve” në Kosovë – gjë që ZPS-ja ka qenë e obliguar ta adresojë për hir të ruajtjes së integritetit të gjykimeve. ZPS-ja e merr jashtëzakonisht seriozisht ndërhyrjen në drejtësi dhe do të vazhdojë dhe ta ndjekë penalisht cilindo person të përfshirë”, thuhet në përgjigje.

Rasti i parë i përmbyllur nga Specialja është ai që lidhet me frikësimin e dëshmitarëve, në të cilin ish-udhëheqësit e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, u dënuan nga Gjykata dhe u liruan me kusht, pasi vuajtën dy të tretën e dënimit. /Gazeta Enigma

Related Articles