Gjykata penale e Bazelit ka dënuar një 60-vjeçar kosovar me 19 vjet burgim dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet të tjera, pasi që i njëjti e theri për vdekje të gruan e djalit të tij, e cila ishte 24-vjeçe në kohë kur ndodhi incidenti, në Pratteln BL në mesin e qershorit 2020.
Prokuroria në aktakuzë ka pretenduar se krimi u karakterizua nga “motive veçanërisht të dënueshme” dhe nga një “pakrupullsi e veçantë”.
Vrasjes i kanë paraprirë mosmarrëveshjet me nusen, e cila ishte martuar me djalin e të pandehurit në korrik të vitit 2015 në Kosovë në një dasmë të dyfishtë me vëllain e tij.
Disa muaj më vonë ajo u transferua në Zvicër, gjegjësisht në Pratteln dhe lindi një djalë në tetor 2016, shkruan srf.ch, transmeton albinfo.ch.
Martesa është ndjekur nga vështirësi, sipas prokurorit publik. Në familje kishte debate të përsëritura dhe dhunë. Vjehrri i të vrarës kishte një ndikim të fortë tek çifti.
I pandehuri deklaroi në gjykim se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Ai tha në gjykatë se ajo që ka bërë ishte mbrojtje dhe se ai nuk ka kryer vrasje. Nuk kishte pasur qëllim për ta vrarë, është shprehur ai.
“Unë duhet të kisha vdekur në vend të saj”, tha i pandehuri.
Dënim më i lartë dhe dëbim nga vendi
Prokuroria publike ka kërkuar dënimin me 17 vjet burg. Duke i shqiptuar 19 vjet burgim, vendimi i gjykatës penale të Baselland është shumë më i lartë se kërkesa e prokurorisë publike.
Përveç dënimit me burg, 60-vjeçari ka marrë edhe një vendim për dëbim nga vendi për një periudhë 15-vjeçare.