Në 22 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjen e tyre në vitin 1999 në Serbi.
Zëdhënësi Price tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ndalen derisa të zgjidhet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
“Edhe një herë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve të ShBA-së Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyqi në vitin 1999. Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalojë së kërkuari zgjidhjen e këtij rasti” ka shkruar Price në Twitter, transmeton Gazeta Enigma.
Edhe e Ambasada e SHBA në Serbi ka reaguar sot lidhur me mos veprimin e autoriteteve në Beograd, për kapjen e vrasësve të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi.
“Drejtësi për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, kërkojmë përgjegjësi ndaj atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjen e tyre dhe do të vazhdojë të mbetet një prej prioriteteve në raportet tona bilaterale me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bën thirrje autoriteteve serbe, që prej vitesh premtojnë ndihmë në këtë rast, të kryejnë një hetim të plotë. Ky rast sikur shumë tjerë, tregon nevojën urgjente që Serbia të kryej hetime e papërfunduara të krimeve të luftës, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane në Beograd.
Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në SHBA dhe kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 22 vite më parë nga njësitë speciale të policisë serbe, transmeton Gazeta Enigma.
Sot janë bërë 22 vite nga vrasja e tre shtetasve amerikanë që derisa ishin në paraburgim në Serbi, u vranë e trupat e tyre janë gjetur në Petrovo Sello në lindje të Serbisë – bazë stërvitore e njësisë speciale e policisë serbe që udhëhiqej nga Goran Radosavleviq i njohur si Guri.
Vëllezërit Bytyqi ishin qëlluar me plumba në kokë derisa duart i kishin të lidhura pas shpinës – e as pas dy dekadave ende nuk është kryer hetime i plotë i këtij rasti nga autoritetet serbe. Lidhur me këtë ka reaguar ambasada amerikane në Serbi, me një kumtesë. /Gazeta Enigma/