Kryeministri Albin Kurti, është përgjigjur lidhur me rastin e intervistimit si dëshmitar nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Gjatë një konference për media, Kurti tha se ekziston komunikimi mes Zyrës së Kryeministrit dhe Prokurorisë Speciale, për intervistim në zyrë.
“S’mund të merrem paradite e pasdite me këtë çështje. Unë jam i hapur të vijnë në Kryeministri për intervistim”, tha Kurti.
Tutje kryeministri përmendi edhe raste të mëhershme që sipas tij, Prokuroria Speciale i ka aplikuar, duke bërë intervista në zyrë.
“Në të kaluarën ka pasur raste të ish-kryeministrave që të intervistohen në Kryeministri. Unë kam ofruar orare të caktuara, dhe pres që të vijnë”, u shpreh Kurti.
I pyetur nga gazetarët se kush janë personat që janë intervistuar në të kaluarën në zyrë, Kurti tha që s’do të merret me emra specifik por shoti se prokuroria i njeh shumë mirë rastet në fjalë.
Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur në heshtje në paraqitjen e saj para prokurorve.
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave – por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.
Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit.
Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre.