Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka aluduar lidhur me një “koordinim” të mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në lidhje me moscertifikimin e Listës Serbe.
Lisa Serbe nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kjo e fundit ka urdhëruar KQZ që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Haradinaj përmendi paralajmërimin e Vuçiqit për moscertifikimin e Listës Serbe, duke e cilësuar atë si një rastësi të çuditshme, sidomos në kontekstin e protestave antiqeveritare që kanë shpërthyer në Serbi.
Sipas tij, veprimet e VV-së dhe qëndrimet e Vuçiqit janë në “përputhje” me njëra-tjetrën dhe krijojnë dyshime për një koordinim.
“Pak e çuditshme edhe paralajmërimi i Vuçiq që nuk do të certifikohet Lista Srpska nga Qeveria Kurti. Ishte pak koincidencë apo ishin dakord. Por siç duhet po i bëjnë nga një favor njëri tjetrit. Në kohën kur Beogradi ishte nxirë prej protestave antiqeveritare dhe ani Vuçiq, ne ja japin një lajm të madh prej Prishtinës, që e diskriminuam në një far formë Listën Srpska. Kur dihet fare mirë që ato janë procese që janë të zgjidhura me ligj dhe kushtetutë. Është ditur që do ta ‘certifikojë’ PZAP-ja”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.
Mund të jetë rastësi për të tjerët, për mua duket si një koordinim bajagi i suksesshëm edhe prej njerëzve që e votuan kundër, të njëjtit votuan me ia nda buxhetin prej 360 mijë euro Listës Srpska, ka shtuar më tutje ai.