Vazhdon edhe sot shqyrtimi i aplikimeve për votuesit jashtë Kosovës

Vazhdon edhe sot shqyrtimi i aplikimeve për votuesit jashtë Kosovës

Periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar mbrëmë.

Sipas të dhënave preliminare, deri më 26 dhjetor 2024, në orën 23:59, janë regjistruar gjithsej 90,860 shtetas të Kosovës si votues jashtë vendit gjatë periudhës 29 gusht – 26 dhjetor 2024, shkruan Gazeta Enigma.

Ndërkaq, numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi për Enigmën se shqyrtimi i këtyre aplikimeve do të vazhdojë edhe sot.

“Shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt dhe kjo do të jetë hera e parë që do të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë më 2008./GazetaEnigma/

Related Articles