Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e di se cili ish-kryeministër është intervistuar në zyrën e tij, por se sipas saj, nuk po e tregon qëllimisht.
Pasi zyrtarë të Qeverisë patën thënë se ka pasur ish-kryeministra që janë intervistuar në Kryeministri nga prokurorë, Haxhiu e ka përsëritur këtë dhe ka shtuar se Isufaj duhet të përgjigjet. Sipas saj, disa nga prokurorët që i kanë “intervistuar ish-kryeministrat, janë ende në Prokurori, e disa të tjerë e kanë lëshuar Kosovën sepse janë kërcënuar”.
“Nuk mendoj që është në rregull që një përgjigje që duhet ta merrni nga kryeprokurori Blerim Isufaj ta kërkoni nga unë. Blerim Isufaj e di shumë mirë, ndonëse në konferencë tha se nuk kam informacione. Isufaj e di shumë mirë kush nga prokurorët ka shkuar në zyre të ish-kryeministrave por nuk flet për këtë. Nuk është korrekte dhe nuk është e drejtë ndaj meje të insistoni për përgjigje nga unë sepse nuk po mund të merrni përgjigje nga Blerim Isufaj. Blerim Isufaj e di, ata prokurorë disa janë aty, disa jo sepse janë kërcënuar dhe janë detyruar të lëshojnë Kosovën. Por këtë përgjigje ta merrni nga Blerim Isufaj”, ka thënë ajo në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të premten.
Kryeministri Albin Kurti ishte ftuar në dhjetor nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar për rastin e rezervës shtetërore. Herën e parë Kurti nuk qe paraqitur me arsyetimin se ishte jashtë vendit, e herëve të tjera pati thënë se është i gatshëm që t’i presë prokurorët në zyrën e tij.
Kryeprokurori Isufaj pati thënë se me sa di ai nuk ka ndodhur që një kryeministër të intervistohet në zyrën e tij.