Kurti takohet me Vermas, i shpreh mirënjohje për mbështetjen e ShBA-së ndaj Kosovës

Kurti takohet me Vermas, i shpreh mirënjohje për mbështetjen e ShBA-së ndaj Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministrin e Parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti gjatë ditës Zëvendës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, i shoqëruar nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Duke i uruar mirëseardhjen në këtë vizitë të parë në Kosovë, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të ShBA-së ndaj Kosovës dhe për partneritetin mes dy vendeve tona në të gjitha etapat shtetndërtuese, si aleati ynë kryesor dhe strategjik, thuhet në kumtesën për media nga zyra e kryeministrit.

Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë.

“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës’.

Kreu i Qeverisë së Kosovës e njoftoi Zëvendës Sekretarin Verma mbi zhvillimin dhe progresin që ka njohur Kosova në katër vjetët e fundit, teksa mbetemi të orientuar kah synimet strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE. Me rritjen ekonomike në njërën anë dhe progresin demokratik në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik shkojnë krah për krah”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kurti vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Related Articles