Demokratët në Kongresin amerikan po përgatiten për një valë të re hetimesh ndaj administratës së presidentit Donald Trump, në prag të marrjes së kontrollit të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, shkruan CNN, tranmeton Express.
Kryetarët e ardhshëm demokratë të komisioneve në të dyja dhomat do të mund të nisin që këtë muaj paralajmërimet ndaj individëve dhe organizatave që mund të jenë objekt i hetimeve. Ndërsa, kompetencat për të lëshuar fletëthirrje zyrtare për dëshmi dhe dokumente do t’i kenë të plota nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur të konstituohet Kongresi i ri.
Të martën në mbrëmje, demokrati që pritet të udhëheqë Komisionin e Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, Robert Garcia, publikoi në rrjetet sociale mesazhin “LAWYER UP” (Angazhoni avokatë). Ndërkaq, senatori Ron Wyden, aktualisht anëtar kryesor i pakicës në Komisionin e Financave të Senatit, shkroi në platformën X vetëm një fjalë: “Subpoenas” (Fletëthirrje).
Derisa avokatët në Uashington po i këshillojnë klientët e tyre që t’i marrin seriozisht kërkesat e Kongresit, ndërsa disa firma ligjore kanë nisur të përgatiten për të përfaqësuar individë dhe organizata që mund të bëhen pjesë e hetimeve të ardhshme.
Megjithatë, kompetencat e Kongresit për të lëshuar fletëthirrje nuk janë të pakufizuara. Administrata Trump ka sinjalizuar vazhdimisht synimin për të ruajtur konfidencialitetin e institucioneve federale, veçanërisht të çështjeve që lidhen me presidentin. Për më tepër, Departamenti i Drejtësisë nën administratën aktuale nuk pritet të ndërmarrë ndjekje penale ndaj personave që refuzojnë t’u përgjigjen fletëthirrjeve të Kongresit, sidomos në rastet që përfshijnë këshilltarët e Trumpit dhe zyrtarët e emëruar nga administrata e tij.
Sipas burimeve nga komuniteti ligjor të cituara nga CNN, avokatët në Uashington kanë nisur tashmë përgatitjet për këtë situatë, duke këshilluar klientët dhe duke konkurruar për të marrë përsipër përfaqësimin e personave që mund të jenë objekt i hetimeve.
Firma ligjore Squire Patton Boggs, e njohur për aktivitetin e saj të lobimit në Uashington, u ka shpërndarë së fundmi klientëve një listë të çështjeve që mund të hetohen nga demokratët në Kongres.
Në mesin e temave të mundshme të hetimeve janë:
– Projektet ndërtimore të presidentit Donald Trump.
– Pretendimet për përfitime të padrejta financiare nga Trump dhe anëtarët e familjes së tij.
– Lufta në Iran.
– Zbatimi i politikave të emigracionit.
– Pasojat e shkurtimeve të ndërmarra nga DOGE gjatë vitit 2025 në administratën dhe shërbimin civil federal.
– Inteligjenca artificiale.
– Kostoja e jetesës dhe përballueshmëria ekonomike.
