Ylli i arteve marciale të përziera (MMA), Conor McGregor, së fundmi është duke u përballet me një padi të re.
Një grua e ka akuzuar atë për sulm seksual gjatë finales së NBA-së të vitit 2023 në Miami, raporton “The Guardian” , transmeton Gazeta Enigma.
Padia, e dorëzuar të martën në një gjykatë të qarkut në jug të Florida-s, përfshin edhe klubin e NBA-së, Miami Heat, si dhe Basketball Properties LLC.
Paditësja pretendon se McGregor e kishte sulmuar seksualisht në një tualet në arenë pas ndeshjes së 4 të serisë finale të NBA-së mes Miami Heat dhe Denver Nuggets më 9 qershor të vitit 2023.
Në padi thuhet se McGregorit i ishte shërbyer alkool nga stafi i arenës, pavarësisht se ishte e dukshme se ai ishte i dehur.
McGregor akuzohet për sulm seksual, ndërsa “Kaseya Center” për neglizhencë të madhe dhe dështim për të ofruar ambient të sigurtë.
Pretendohet se McGregor e çoi viktimën në një tualet dhe e sulmoi seksualisht, pasi një bashkëpunëtor e kishte dërguar atë me forcë te sportisti irlandez.
Në padi kërkohet një dëmshpërblim prej 75 mijë dollarë.
Rasti fillimisht ishte raportuar në Policinë e Miamit më 11 qershor të vitit 2023. Megjithatë, në tetor të vitit 2023, zyra e prokurorit të Floridas refuzoi kallëzimin penal. McGregor i kishte mohuar akuzat.
“Pothuajse dy vjet dhe të paktën tre avokatë më vonë, paditësi ka një histori të re të rreme. Ne kemi besim dhe kjo çështje do të pushohet”, ka thënë avokatja e McGregorit, Barbara Llanes.
Avokati Jimm Dunn, që mbron viktimën e pretenduar, ka thënë se padia civile është mundësia e vetme e mbetur.
“Qëllimi kryesor i kësaj padie është të rritet vetëdijesimi dhe të inkurajohen tjerët të raportojnë sulmet seksuale”, tha Dunn.
Në padi po ashtu ceket incidenti më herët atë natë që kishte ndodhur kur McGregor grushtoi maskotën e Miami Heat, Burnien, udke i shkaktuar lëndime trupore. Përkundër kësaj, stafi i arenës vazhdoi t’i shërbente alkool.
McGrgor, një prej luftëtarëve më të njohur të MMA-t, nuk ka luftuar që kur theu këmbën në luftën e vitit 2021 kundër Dustin Poirierit. Ai së fundi është urdhëruar të paguajë dëmshpërblim prej 264 mijë dollarë në një rast tjetër civil në Irlandë. /Gazeta Enigma