Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, priti sot në takim Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian dhe Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se takimi u përqendrua në angazhimin e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e proceseve demokratike të vendit.
“Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij për znj. Loiseau dhe EU EOM për rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen e sistemit zgjedhor të Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Më tej ai theksoi rëndësinë e misioneve të mëparshme të BE-së në mbështetjen e reformave zgjedhore, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e besimit publik në procesin zgjedhor.
“Kosova është krenare për traditën e saj të organizimit të zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente. Respektimi i vazhdueshëm i rezultateve zgjedhore reflekton pjekurinë dhe vlerat tona demokratike”, deklaroi Krasniqi.
Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përbën një moment historik në reformat zgjedhore të Kosovës. Krasniqi theksoi se monitorimi dhe rekomandimet e misionit do të jenë thelbësore për vlerësimin e ndikimit të këtij ligji, identifikimin e përparësive dhe adresimin e çdo mangësie të mundshme.
Tutje, kreu u PDK-së siguroi znj. Loiseau për bashkëpunim të plotë me EU EOM për të garantuar suksesin e misionit.
Në takim u diskutuan gjithashtu tema si përfaqësimi i grave në proceset politike, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe sfidat e shkaktuara nga lajmet e rreme. Krasniqi rikonfirmoi përkushtimin e PDK-së për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe për të luftuar dezinformimin, duke siguruar një ambient zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm.
Loiseau vlerësoi progresin e Kosovës dhe rikonfirmoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit.
Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe BE-së për forcimin e demokracisë dhe sigurimin e zgjedhjeve transparente që reflektojnë vullnetin e qytetarëve.