Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur për Media janë propozuar emrat për kryetar dhe nënkryetar të ri të këtij institucioni.Anëtari i KPM-së, Fitim Veliu propozoi që kryetar i KPM-së të jetë anëtari aktual, Besnik Berisha, ndërsa nënkryetare anëtarja tjetër, Luljeta Aliu.
Propozimi i Berishës dhe Aliut erdhi pas ndryshimit të rregullores për punën e brendshme të KPM-së.
Menjëherë pas kësaj, kryetari i tanishëm, Jeton Mehmeti, tha se do e lë postin që tani, pasi sipas tij, kështu e kërkon rregullorja e KPM-së. Kjo u këndërshtua nga anëtarët e tjerë, pasi thanë se puna e tij duhet të vazhdojë deri sa të përfundojë mandati.
Me tri vota për, një kundër nga kryetari aktual i KPM-së Jeton Mehmeti dhe një abstenim nga anëtari tjetër Fatih Basha, është votuar propozimi për plotësim ndryshimin e rregullores së punës së brendshme të KPM-së, e cila flet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të ri të KPM-së.
Në nenin 3 të kësaj rregullore të propozuar nga anëtari i KPM-së Besnik Berisha është shtuar paragrafi “përjashtimisht nga paragrafi 1 i nenit 3, zgjedhja e kryetarit, përkatësisht nënkryetarit mund të bëhet një muaj para skadimit të mandatit të kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për të siguruar që KPM nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht nënkryetar në raste kur mund të mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
Me të hapur mbledhjen e parë për këtë vit (17.01.2025), anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë shprehur shqetësim lidhur me siç i quajtën ‘lajmet e rreme’ se anëtarët e KPM-së kanë planifikuar që ta shkarkojnë kryetarin e KPM-së, Jeton Mehmeti.
Anëtari i KPM-së Besnik Berisha ka thënë se si pikë e rendit të ditës duhet të trajtohet tema për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së me qëllim që mos ta lë komisionin pa kuorum.
“Sot u lansua lajmi që KPM, anëtarët e KPM e kanë plan me shkarku kryetrarin e KPM-së, mua me habiti shumë. Është dezinformatë, askush se ka pas plan me shkarku kryetarin e KPM-së, tri ditë para se me i kalu afati”– ka thënë Berisha.
Berisha tutje ka thënë që meqenëse mandati i kryetarit skadon më 20.01.2025, duhet të ofrohet një zgjidhje me qëllim që mos të pengohet puna e KPM-së pas kësaj date.
“Meqenëse mandati i kryetarit skadon më 20.01.2025, unë mendoj që ne si KPM duhet të ofrojmë një zgjidhje që të sigurojmë që KPM do të ketë kryesi edhe pas kësaj date. Unë propozoj që si pikë e parë të jetë plotësim-ndryshimi i rregullores së punës me qëllim mundësimi i zgjedhjes së kryetarit”- tha ai.
Edhe anëtarët e tjerë Fitim Veliu dhe Luljeta Aliu janë pajtuar me mendimin e Berishës.
Kryetari i KPM-së nuk është pajtuar me propozimin që sot të vendoset për zgjedhjen kryetarit të KPM-së.“Zgjedhja e një kryetari te ri duhet të bëhet në seancën vijuese kur të përfundon mandati i kryetarit ose të shkarkohet. Dhe argumenti se mund të mbetemi pa kryetar, nuk qëndron sepse anëtari më i vjetër i një organi të ri është përfaqësuesi i KPM-së deri sa të konsitutohet organi”- tha ai.
Anëtarët tani kanë shkuar në një pauzë.