AAK me tubim elektoral në Podujevë, Gjini: Më 9 shkurt, mos dorëzoni votën ku s’duhet

AAK me tubim elektoral në Podujevë, Gjini: Më 9 shkurt, mos dorëzoni votën ku s’duhet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me partnerët e koalicionit po mbajnë tubim në qytetin e Podujevës, rapoton Gazeta “Enigma”.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se ëndrrën për Kosovën e lirë e fituese, ta vazhdojnë ende, duke e votuar kështu AAK-në me partnerët e koalicionit.

“Është kënaqësi e madhe me qenë në Llap. Prej një maje mali në Gjakovë, e shoh krejt Kosovën. Unë e di sa të mëdhenj jemi në zemër, por është vend i vogël me mbërri me na nda dikush”, tha Gjini.

“Ju, sikurse unë që e shohim Kosovën prej asaj majës së malit, e kem pasur një ëndërr për Kosovën, dhe e kemi një ëndërr për Kosovën. Ajo ëndërr ka nisur më herët sesa disa mendojnë. Ajo ëndërr ka nisur sikur na prej Gjakovës, edhe ju prej Llapit e Podujevës kemi shkuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ edhe jemi rrëqethur kur e kemi kënduar ‘Besa-Besë’, secili prej nesh. Nuk e kemi kënduar veç pse ka fitu Prishtina e Fadil Vokrri, por ne besa-besë edhe atë fitore në gjakun tonë, në lëkurën tonë e kemi pasur fitoren e Kosovës, e kemi parë ëndërr që Kosova një ditë ka me qenë e lirë, e pavarur, demokratike. E kemi dashur. Ajo fitore nga ka sjell deri te Pavarësia e Kosovës. Unë ju them mos me heq dorë prej asaj ëndrre”.

Tutje ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos e dorëzojnë votën aty ku s’duhet.

“Para katër vjetëve, çdo i dyti qytetarë i Kosovës e ka votuar një parti që sot është në pushtet. Ata njerëz i kanë besuar. Ata njerëz janë njerëzit tanë. Kjo nënkupton se ata i kemi vëllezër, motra, kusherinjë, fqinj, kolegë. Ata nuk janë të këqij. Janë njerëz të mirë. Është punë e juaja që me bisedu me këtë vëllezër e motra ‘a po ju duket që është mirë Kosova, në binarët që e ka qit qeveria aktuale’. Nuk është mirë”.

Related Articles