Një zjarr i ri i cili po përhapet në mënyrë të shpejtë, ka shpërthyer në Los Angeles.
Si rrjedhojë dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen nga rajoni që tashmë është duke u rrëmbyer nga zjarret më shkatërruese në historinë e tij.
Zjarri i Hughes u ndez rreth 72 kilometra në veri-perëndim të qytetit të Los Angelesit të mërkurën në mëngjes, pranë liqenit Castaic, në një zonë malore që kufizohet me disa zona banimi dhe shkolla, raporton BBC, transmeton Gazeta Enigma.
Zjarri ka kapluar më shumë se 9,200 hektarë tokë për vetëm disa orë të mërkurën, i nxitur nga erërat e forta.
Asnjë shtëpi apo biznes nuk është dëmtuar dhe zyrtarët e zjarrfikësve shprehën besimin për marrjen nën kontroll të flakëve.
Zjarri i ri ndodhet në veri të dy zjarreve të mëdha, të cilat ende janë aktive, e që shkatërruan lagje të shumta në zonën e Los Angelesit në fillim të këtij muaji.
Erërat në atë zonë po fryjnë rreth 32 deri në 48 km në orë, por shpejtësia e tyre mund të rritet, gjë që do të nxiste zjarrin dhe do ta bënte më të vështirë funksionimin e ekuipazheve ajrore.
Rreth 31,000 njerëz në zonë janë nën një urdhër evakuimi të detyrueshëm dhe 23,000 të tjerë janë paralajmëruar se mund t’u duhet të ikin, kanë njoftuar autoritetet e Los Angelesit. /Gazeta Enigma