Abdixhiku në Gjilan premton lagje ushtarake

Abdixhiku në Gjilan premton lagje ushtarake

Lagje ushtarake, mësim tërëditor për nxënësit dhe stadium për sportdashësit u ka premtuar të enjten qytetarëve të Gjilanit kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Në tubimin me qytetarë, Abdixhiku është zotuar edhe për ndërtimin e autostradës së Gjilanit, për të cilën ka thënë do t’i afrojë qytetarët e kësaj komune me Prishtinën për 17 minuta

Rend i gjatë i të rinjve të enjten ua ka zënë pritën qytetarëve të Gjilanit në hyrje të sallës, në të cilën Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka organizuar tubim elektoral.

Për ata që ende nuk e kanë ndarë mendjen se për kë të votojnë më 9 shkurt, këta të rinj ndanë karta me emrat dhe numrat e kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

E brenda sallës, kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u ka thënë të mbledhurve se para tyre ka dalë për të folur vetëm për projekte teksa ka bërë edhe katër zotime për Gjilanin.

“Nuk ju ftoj në ankesa për të shkuarën e aq më pak ta humbas kontrollin para njerëzve. Por t’ju flas për projekte që transformojnë prej vërteti”, është shprehur ai.

Në mesin e projekteve, Abdixhiku premtoi autostradë për të cilën tha se nuk është bërë nën qeverisjen aktuale.

“Rruga kryesore, autostrada e Anamoravës, Prishtinë-Bresalc, Prishtinë – Dheu i Bardhë do të përfundojë brenda mandatit tonë katërvjeçar. Do të kujdesem unë, si kryeministër të jem me dy çizme të punës në terren. Dy minuta nga Dheu i Bardhë që e afrojnë gjithë Luginën tonë të Preshevës me Gjilan, prej Gjilani 17 minuta deri në Prishtinë”, ka thënë ai.

Abdixhiku është zotuar edhe për ndërtimin e një lagjeje ushtarake.

“Ndërtimin e lagjes së re ushtarake, pra kampusit ushtarak, dhe vendosjen e lagjes ushtarake në mes të Gjilanit, Vitisë dhe Ferizajt. 1.100 familje ushtarake do të vendosen në këtë lagje ushtarake për të bërë jetë të dinjitetshme”, ka premtuar kandidati i LDK-së për kryeministër.

Në Gjilan, Abdixhiku ka thënë po ashtu se do të ndërtojë një stadium, teksa për nxënësit e kësaj komune ka premtuar zbatimin e procesit mësimor tërëditor, të cilin LDK-ja e ka të përfshirë në program politik.

“Kam edhe dy projekte. I pari ka të bëjë me mësimin tërëditor. Gjilani me prioritet do të ketë mbështetjen e qeverisë qendrore për mësimin tërëditor, për fëmijë që rrinë 8 orë në shkollë. Po ju zotohem që stadiumi i Gjilanit, kjo ikonë shembullore e qytetit sportiv, me 7 mijë ulëse, kategoria 4 e UEFA-s, që do të thotë se edhe kombëtarja e Kosovës mund të vijë të luajë lojë këtu, do të bëhet brenda mandatit tonë, pa asnjë dyshim”, është shprehur ai.

E ish-kryetari i Gjilanit dhe kandidati i LDK-së për deputet, Lutfi Haziri, ka theksuar se bashkëqytetarë të tij janë të dëshpëruar me besimin që ia dhanë partisë që është aktualisht në pushtet.

“Tani ne, në Gjilan po flasim se sa poshtë kemi rënë dhe sa lart presim të ngrihemi me ju”, ka theksuar Haziri.

Për votën që iu besua në Gjilan një partie tjetër e jo LDK-së, kandidatja për deputete nga ky qytet, Valentina Bunjaku, tha se ende ka hapësirë për përmirësim.

“Lutini ata të cilët kanë gabuar, ta përmirësojnë gabimin dhe ta votojnë LDK-në”, është shprehur ajo në tubim.

Bunjaku e pati edhe një porosi, të cilën e ndërlidhi me sloganin elektoral të një partie tjetër.

“Krejt atyre që po i kërkojnë cepat, iu themi zemrën e marrim na e cepat ua lëmë atyre”, ka thënë ajo.

Pas Gjilanit, LDK-ja të enjten ka mbajtur tubim elektoral edhe në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë. Aty, kandidati për kryeministër ka thënë se shkolla do ta nisë mësimin tërëditor nga shtatori i sivjetmë.

Abdixhiku po ashtu u shpreh i kënaqur me numrin e anëtarëve të degës së dytë të LDK-së, të cilët të enjten e pritën në këtë shkollë.

“Pas 6 viteve në ‘Gjergj Fishta’, emocion i veçantë sepse 6 vite më parë ishim mbledhur në korridor. E tash jemi plot në sallë, plot në korridor, plot në oborr. Lidhja Demokratike e Kosovës, është ngritur në këmbë”, ka thënë ai.

Në Prishtinë, Abdixhiku i përsëriti premtimet miliardëshe për kryeqytetin.

“1.5 miliard euro për kryeqytetin sepse janë tuajat dhe ato 1.5 miliard euro do ta bëjnë transformimin e kryeqytetit. Kam nënshkruar me kryetarin Rama stadiumin e qytetit, ku nga 5 miliardë euro që do të kemi investime kapitale në krejt Kosovën, 1.5 miliard euro do të jenë vetëm për Kryeqytetin. Punën e parë do ta bëjmë nënshkrimin për Unazën e Jashtme, ku kostoja e saj është 206 milionë euro, ndërsa shpronësimi prej 154 milionë euro, do të bëhet nga niveli qendror”, ka thënë ai.

Takim me qytetarë, Abdixhiku ka mbajtur edhe në Batllavë të Podujevës.

Related Articles