Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.
Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.
Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha një ditë më herët se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar.
Gjatë atij fjalimi, ai kërkoi edhe ristrukturimin e Qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës Vuçeviq ishte nga maji i vitit 2024.
Kërkesat e studentëve
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Çka tash?
Neni 132 i Kushtetutës së Serbisë thotë se kryeministri e paraqet dorëheqjen te kryetari i Kuvendit dhe e njofton njëkohësisht presidentin e Republikës dhe publikun për vendimin e tij.
Kuvendi, në seancën e parë të radhës, konstaton dorëheqjen e kryeministrit.
Mandati i Qeverisë përfundon në ditën e konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit.
Pasi që Kuvendi ta konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Qeverinë e re brenda 30 ditëve nga data e dorëheqjes së kryeministrit, presidenti i Republikës është i detyruar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja.