Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh ligji – apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit nga pozita e kryeministrit të vendit.
“Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.
Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviqit.
“Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiq në një adresim para kombit.
Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.
Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.
Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.
Edhe pas vendimit të Vuçeviqit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.