Haradinaj: Kosova të plotësojë angazhimet e saj – nuk pres njohje të menjëhershme nga Serbia

Haradinaj: Kosova të plotësojë angazhimet e saj – nuk pres njohje të menjëhershme nga Serbia

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma me partnerë ka thënë se nëse Kosova investon menjëherë në proces, duke i zbatuar obligimet që i ka marrë, administrata e re amerikane nuk do e ndiej nevojën për ta rihapur një situatë të re të zgjidhjes së situatës.

Haradinaj tha se nëse Kosova humb kohë dhe në një mënyrë apo tjetër nuk është në nivel të përgjegjësisë, ekziston mundësia që Administrata Trump të vijë me ide të reja të ecje përpara, pa përfillur shumë shqetësimet e Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i lehtësonte proceset e tjera. Kur të mbërrijmë të bëhemi anëtar i NATO-s, edhe vendet e BE-së do të kenë një qasje tjetër ndaj nesh. Çdo gjë do të dihet më 9 shkurt. Nëse opozita e krijon qeverinë, do t’i jepet një mundësi Kosovës, por nuk është gjendja sikur para 6 viteve ta zëmë. Duhet ta dëshmojmë, duhet ta fitojmë kohën e humbur dhe duhet të themi shumë të zot në angazhimet tona”, tha Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova.

Më tej, ai tregoi edhe për bisedat që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në Departament të Shtetit dhe Pentagon, ku tha se zyrtarët atje i kanë thënë se “nëse Kosova s’ktheht në linjë me Amerikën, proceset janë të pezulluara”.

“Besoj që avancimi drejt NATO-s është real. I kemi identifikuar elementet kyçe të Planit Aksional, pra shprehja e saktë që e kam pasur përballë, ne kemi qenë tre, ata katër, si në Departament të Shtetit si në Pentagon, është që ‘e mirëpresim angazhimin tuaj, e dimë kontributin tuaj që nga krijimi i ushtrisë e tutje në procese, jeni njohës i kësaj fushe, do të vazhdojmë bashkë, por në rast se Kosova s’kthehet në linjë me Amerikën, të gjitha këto janë të pezulluara’. Si në DASh, si në Pentagon kjo është qasja”, tha ai.

Haradinaj tutje tha se e ka zgjedhur një rrugë që do t’ia bëjë më të lehtë presidentit amerikan, Trump, ku tha se Kosova s’do të shkojë me kushtëzime me Serbinë.

“Unë e kam zgjedh një rrugë që do t’ia bëjë më të lehtë presidentit Trump, ne nuk po shkojmë me kushtëzime me Serbinë, unë s’pres që Serbia të na njoh menjëherë dhe s’po ia kërkoj, por unë po them që i kryejmë të gjitha obligimet që i kemi marrë dhe qëndrimi ynë është siguria e përjetshme”.

Related Articles