Peter Sorensen nesër nis punën si emisar i ri për dialogun, çfarë pritet nga ai?

Peter Sorensen nesër nis punën si emisar i ri për dialogun, çfarë pritet nga ai?

Për herë të parë në pesë vjet, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë nuk do t’i ndërmjetësojë Mirosllav Lajçak. Bashkimi Evropian ka vendosur që emisar i tij i ri për dialogun të jetë Peter Sorensen.

Zyrtarisht, ai nis punën nesër, më 1 shkurt, dhe do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit, sikurse paraardhësi i tij.

Prej kur ka nisur të lakohet emri i Sorensenit në media, javë më parë, atmosfera për të ka qenë pozitive.

Një prej argumenteve më të shpeshta ka qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin.

Dhe, njëmend ashtu është. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Siç thonë edhe njohësit e politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

Prejardhja e një ndërmjetësuesi është kthyer në element shumë të rëndësishëm, prej kur atë pozitë e pati marrë Lajçaku, ndërsa atë të kryediplomatit të BE-së e ka mbajtur Josep Borrell.

Duke qenë njëri nga Sllovakia, dhe tjetri nga Spanja, të dyja vende mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës, ata i ka ndjekur vazhdimisht një hije e zezë. Nga qytetari i thjeshtë i Kosovës deri te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dyshja është akuzuar për njëanshmëri dhe për rreshtim, me raste, nga Serbia.

Të dy i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Ky problem nuk do të ekzistojë tani. Por, problematike konsiderohet periudha në të cilën Sorensen nis punën.

Nisur nga zgjedhjet në Kosovë, dhe paqartësitë politike në Serbi – pas dorëheqjes së kryeministrit atje – njohësit e zhvillimeve politike presin pak përparim, sidomos në gjashtë muajt e parë të mandatit të danezit.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha ditë më parë se me zgjedhjen e Sorensenit po dërgohet mesazhi se dialogu mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Related Articles