Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ironizoi me programin e LDK-së.
Bajrami tha se Murati po tenton të largojë vëmendjen nga bisedat në WhatsApp.
“Ne nuk pranojmë të vijmë në pozitën tënde që pas katër vitesh mandat dhe 12 miliardë euro buxhet të shpenzuar, të mos jesh në gjendje të listosh as tre projekte kapitale. Unë edhe të mirëkuptoj ty dhe kryeministrin tënd kur dilni në foltore dhe flisni krejt përçart, sepse s’keni çfarë t’u thoni qytetarëve, as çfarë t’u premtoni, sepse s’keni përmbushur asnjë premtim, asnjë të vetëm”, tha Bajrami.
Ajo renditi edhe disa premtime të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2021.
Bukë më të lirë;
Qumësht më të lirë;
Vaj më të lirë;
Sheqer më të lirë;
Energji elektrike më të lirë;
160 çerdhe;
4,000 banesa për çiftet e reja;
5 shtëpi për të moshuarit;
Bankë zhvillimore;
Digjitalizim të arsimit;
Luftë kundër korrupsionit;
Punë dhe drejtësi.