Bislimi: Nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti opozitare, as nuk do të bashkëqeverisim me Listën Serbe

Bislimi: Nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti opozitare, as nuk do të bashkëqeverisim me Listën Serbe

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha më 04.02.2025 se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëqeverisjen me të njëjtit partnerë të koalicionit, pra me Partinë Guxo dhe me Alternativën.

Ai ka përjashtuar mundësinë që LVV të përfshijë në qeverisje cilindo subjekt politik nga partitë opozitare.

“Në rast se ndonjëra prej tyre përpiqet të sigurojë votën tuaj nën mashtrimin se do bashkëqeverisin me ne, mos u besoni. Merreni këtë tentim të tyre vetëm si konfirmim të natyrës së tyre mashtruese e manipuluese”- ka reaguar Bislimi në rrjetin social Facebook.

Besnik Bislimi ka theksuar po ashtu se nuk do të bashkëqeverisin me Listën Serbe, “as me satelitët e saj politikë brenda komunitetit serb, apo tek përfaqësuesit e komuniteteve tjera”.

Ai thekson se partia pjesë e të cilës është do të vazhdojë të bashkëqeverisë me të njëtat parti që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, meqë, sipas tij, LVV beson që secila prej tyre ka arritur të përfaqësojë denjësisht interesat e komunitetit të vet.

Po ashtu Bislimi thotë se do t’i mirëpresim në bashkëqeverisje edhe subjektet e tjera, që sipas tij marrin mbështetjen e qytetarëve dhe janë dëshmuar në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të votuesve të tyre brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Andaj ftojmë qytetarët e nacionalitetit serb, boshnjak, turk, rom, egjiptian e ashkali të rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për këto subjekte duke mundësuar kështu avancimin e mëtejmë të prioriteteve të komuniteteve prej nga vijnë”- theksoi Bislimi.

Bislimi theksoi se Qeveria aktuale e Kosovës është e para që arriti ta përfundojë me sukses dhe në plotni mandatin e saj qeverisës dhe ballëhapur të kërkojë vazhdimin e mirëqeverisjes edhe për një mandat.

Related Articles