Bashkimi Evropian ka reguar për herë të parë, një javë pas vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për pezullimin e të gjitha programeve të ndihmës së huaj për një periudhë 90-ditore, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Bashkimi Evropian thekson se do të vazhdojë ndihmën për Shqipërinë, veçanërisht për reformën në drejtësi, duke thënë se po parashikon burime të tjera të rëndësishme në ndihmë të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë vë theksin te rezultatet e SPAK në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, ndërsa shton se e ka mbështetur Prokurorinë e Posaçme, gjatë këtyre viteve të punës, me një buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
“BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë, thuhet në deklaratën e BE-së për Top Channel.