Teksa mbështetësit e Erion Veliajt po mbanin një protestë përpara ambienteve të SPAK-ut, kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, nga ku komentoi sërish arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës.
Rama, në fjalën e tij, theksoi se duke filluar nga sot, Partia Socialiste nuk do të qëndrojë më e heshtur përballë veprimeve dhe vendimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme.
Ai deklaroi se të majtët do të mbajnë një pozicion konstruktiv ndaj SPAK-ut, duke qenë garantë të pavarësisë së gjyqësorit, por edhe të lirive dhe të drejtave demokratike të individit.
Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se arrestimi i Veliajt në zyrë është një përgjigje ndaj të gjithë atyre skeptikëve që mendonin se SPAK-un e kontrollon mazhoranca, raporton euronews.al.
“Sot në debatin publik ka vetëm dy palë: njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet ‘gijotina’; sipas asaj pale, të gjithë janë për burg, për litar, për t’u vrarë. Pala tjetër është ajo banditeske, që sulmon organet e reja të drejtësisë dhe shënjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjyqtarët që bëjnë punën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK-ut, i cili ka të gjithë mbështetjen tonë përballë baltës që ai dhe familja e tij marrin.
Por mungon një palë konstruktive, e cila duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, por edhe e lirive, të drejtave dhe standardeve demokratike. Përndryshe, biem në kurthin e së kaluarës. Për mua është e pakonceptueshme që kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjeve dhe pa diskutuar nëse akuzat janë të drejta apo jo, e mëson lajmin nga televizioni dhe gazetarët “specialë”, të cilët disponojnë sekrete hetimore dhe ushqim informativ që u vjen nga “stacioni i trenit” për t’u hedhur në pazarin e gjësë së gjallë.
Kjo është e papranueshme. As dje, as sot, e as nesër, për sa kohë unë të jem në krye të kësaj force politike, Partia Socialiste nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia. Por, ndryshe nga e kaluara, kjo forcë politike nuk do të heshtë më përballë shkeljeve të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo që ushtron forcën e konsoliduar të pavarësisë. Vetëm një idiot dhe maskara mund të thotë se pas kësaj ne kontrollojmë drejtësinë.
Ne kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona qëndrojnë larg drejtësisë. Ne nuk jemi këtu si hunj gardhi që të japim mbështetje dhe të mos themi asgjë kur përballemi me episode të tilla, me ose pa dashje”, tha Rama.