Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues kundër dy të pandehurve A.M. dhe D.K, për vepër penale, “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurve, me rekomandimin që dënimi prej gjashtë muajsh burgim të zëvendësohej me gjobë në shumë prej 2,000 deri në 3,000 euro, gjyqtari Samedin Cena e aprovoi marrëveshjen e arritur.
Si rrjedhojë, të pandehurit A.M. dhe D.K. i shpalli fajtorë dhe secilit veç e veç i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej 3,000 euro, i cili duhet të ekzekutohet brenda 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I pandehuri A.M. akuzohet se, nga data 29.12.2025 deri më datë 01.01.2026, në Qendrën Komunale të Numërimit, e vendosur në palestrën e sporteve ‘Shani Nushi’ në Gjakovë, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më datë 28.12.2025 në Republikën e Kosovës, në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, në 9 komisione për numërimin e votave, me dashje shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë, në atë mënyrë që, duke u shtuar kandidatëve për deputetë 428 vota, si dhe duke u hequr kandidatëve për deputetë 682 vota, në total ka keqpërdorur 1110 vota, me të cilat veprime falsifikon votën.
Ndërsa, i pandehuri D.K., në kohën dhe vendin e njëjtë, në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, në gjashtë komisione për numërimin e votave, me dashje shton dhe heq votat e kandidatëve për deputetë, në atë mënyrë që, duke u shtuar kandidatëve për deputetë 422 vota, si dhe duke u hequr kandidatëve për deputetë 491 vota, në total ka keqpërdorur 913 vota, me të cilat veprime falsifikon votën.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
