Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, kanë identifikuar aktivitete të paautorizuara në vende arkeologjike dhe të hënën e 10 shkurtit, është autorizuar Njësia për hetimin e krimeve mjedisore në kuadër të Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Prishtinë, që të ndërmarrin veprime hetimore, në çështjen penale ndaj të pandehurit D.H., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Punimet e paautorizuara dhe përvetësimet e monumenteve kulturore’’.
Sot, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, nga policia është realizuar urdhër kontroll në lokalin e tij në Gjilan, ku janë gjetur dhe sekuestruar mbi 200 artefakte arkeologjike, prej të cilave 80 monedha janë prej periudhës së sundimit romak, bizantin dhe mesjetar.
Sipas prokurorisë, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar i pandehuri D.H., në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet se ka kryer aktivitete hulumtuese të paautorizuara në vende arkeologjike me pajisje detektuese.
I njëjti dyshohet për veprën e sipërshënuar penale pasi me veprimet e tij ka kryer gërmime apo hulumtime arkeologjike pa autorizimin e organit kompetent.