Përplasje mes PDK-së e VV-së për komisionin që heton rastet e dyshuara të votimit

Përplasje mes PDK-së e VV-së për komisionin që heton rastet e dyshuara të votimit

Krijimi i një komisioni për të hetuar rastet e dyshimta që janë gjetur gjatë numërimit të votave kanë përplasur më mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka kërkuar që të krijohet një komision për të hetuar disa raste të dyshuara gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Ai ka thënë se duhet të trajtohet një rast në Gjakovë, një në Mitrovicë, në QKUK e të verifikohen votat  e dyfishta nga diaspora.

“Duhet trajtuar disa çështje që kanë ndodhur. Kërkoj nga ju që ta bëjë një komision për të hetuar edhe kutinë në Gjakovë, për të cilën është thënë se ka qarkulluar ‘treni bullgar’, ajo kuti është numëruar. Kërkoj që të largohet nga rezultati deri në përfundim të hetimit. Kemi një problem edhe me kutinë në Mitrovicë edhe kjo duhet të trajtohet. Po ashtu edhe sa i përket çështjes së verifikimit të votave të diasporës, të hetohen votat e dyfishta. Duhet të hetohet nëse janë persona që vetë e kanë bërë atë apo ka mundur edhe dikush që ta bëjë për ta për herë të dytë. Të gjitha verifikimet e votimit të dyfishtë nga ana e qytetarëve të cilët ose vetë e kanë keqpërdorur ose e ka keqpërdor dikush tjetër. Votimi në QKUK ka vazhduar deri në ora 11. ZRPZ-ja ka dërguar ekipin pas mbylljes së votimeve. Të hetohet edhe kjo kuti”, ka thënë ai.

Gashit ka theksuar se pa një hetim të plotë të këtyre katër çështjeve nuk do të duhej të bëhej numërimi i tyre.

Por, Gashit i ka reaguar anëtari i Vëtëvendosjes, Alban Krasniqi duke e akuzuar për teori dhe deklarata që e dëmtojnë KQZ-në si institucion.

“Komplet i njëanshëm dhe politik e joprofesional. Për kutinë në Gjakovë organet veç janë duke u ndërmarrë. Natyrisht që numërimi është dashur të ndodhë dhe me u pa një gjendje reale. Sa i përket rastit të Mitrovicës… ata kanë dërguar një raport mbi këtë kuti dhe përveç problemeve teknike asnjë problem tjetër nuk është raportuar. Natyrisht që çdo proces zgjedhor ka gabime teknike dhe është KQZ-ja ajo që duhet t’i marrë të gjitha veprimet. Nuk është e shëndetshme të dilet kështu befas me teori dhe lloj deklaratash që më shumë e dëmtojnë institucionin se diçka tjetër”, ka thënë ai.

Gashin, ka reaguar sërish duke thënë se duhet të dihet se çfarë ka ndodhur në këto raste, në të kundërtën duhet ankuar në PZAP.

“Duhet të merren njerëzit në përgjegjësi dhe nuk janë kryer punën si duhet. Ligji e cakton se kur hapen vendvotimet e kur mbyllen, nuk mund të votosh në orën 12:00 të natës. Ne vetë duhet t’i hetojmë këto raste para se t’i hetojë dikush tjetër. Nuk mund t’i lëmë të rrjedhin sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Kjo është pse po kërkoj. Nuk është çështja këtu për ta cenuar integritetin e institucionit, pikërisht është për me mbrojt institucionin”, ka shtuar ai.

Related Articles