Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur në takim zyrtaren për çështje politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Brooke Young.
Gjatë këtij takimi, siç njoftohet u diskutua për rëndësinë e lirive fetare dhe angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës në avancimin e të drejtave dhe lirive fetare në vend.
Myftiu Tërnava theksoi se Kosova është një shembull i harmonisë fetare, ku besimtarët e feve të ndryshme bashkëjetojnë në paqe dhe respekt. Ai theksoi se Bashkësia Islame ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e lirive fetare dhe respektimin e diversitetit fetar, duke kontribuuar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në vend.
Nga ana e saj, Brooke Young, vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përpjekjet e Kosovës në promovimin e tolerancës fetare dhe të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të paqes për të gjithë qytetarët. /Gazeta Enigma