Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) së fundmi ka reaguar ndaj dezinformatave se nuk ka tretësirë.
Këta të fundit kanë sqaruar se furnizimi me të për infuzion (NaCl 0.9%- 500 ml) ka qenë dhe mbetet i qëndrueshëm në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit janar 2025, ShSKUK kishte në stok 54,610 njësi të kësaj tretësire, të cilat janë shpërndarë rregullisht në institucionet shëndetësore të menaxhuara nga ky shërbim.
Ndërkohë, në shkurt janë siguruar edhe 16,200 njësi të tjera, duke garantuar që asnjë moment nuk ka pasur mungesë.
Përveç kësaj, ShSKUK konfirmon se ka sasi të mjaftueshme të sistemeve të infuzioneve, kanilave, ampulave të deksametazonit dhe diklofenakut, të cilat shpërndahen në mënyrë të vazhdueshme në QKUK dhe shtatë spitalet e përgjithshme.
Ndër të tjera, ShSKUK thekson se çdo person apo institucion mund ta verifikojë situatën e furnizimit në Sektorin për Furnizim me Barna dhe Material Shpenzues, si dhe në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme.
Në këtë kontekst, ky institucion apelon tek mediat, gazetarët dhe shoqëria civile që të verifikojnë informacionet përpara se të publikojnë lajme që mund të krijojnë panik të panevojshëm në opinionin publik.
Ndërkohë, ShSKUK bën të ditur se furnizimi i radhës, i planifikuar për t’u realizuar së shpejti, do të përfshijë mbi 80,000 njësi të tretësirës për infuzion (NaCl 0.9%- 500 ml). Ky furnizim është siguruar falë angazhimit dhe planifikimit të duhur nga Sektori për Furnizim me Barna dhe Material Shpenzues. /Gazeta Enigma