Specialja e refuzon kërkesën e ish-krerëve të UÇK-së ndaj trupit gjykues për paanshmëri

Specialja e refuzon kërkesën e ish-krerëve të UÇK-së ndaj trupit gjykues për paanshmëri

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të refuzohet kërkesa e përbashkët e ekipeve mbrojtëse që përfaqësojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ndaj trupit gjykues për ruajtje të paanshmërisë.

Vendimi është marrë më 26 shkurt 2025 nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Charles Smith III.

Më 13 nëntor, mbrojtja e katër të akuzuarve kishte kërkuar që Paneli t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar paanshmërinë e tyre në proces dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.

Pra, mbrojtjet e katër të akuzuarve kishin kërkuar që paneli të veprojë me paanshmëri gjatë pyetjeve por edhe të bëjë pyetje që testojnë çështjen e ZPS-së.

Gjithashtu, ata kishin kërkuar që trupi gjykues të kufizohet në përdorimin e pyetjeve sugjestive ndaj dëshmitarëve dhe të shmangin përdorimin e pyetjeve si mjet gjyqësor për të nxjerrë prova kundër të pandehurve që kalojnë hetimet e drejtpërdrejta të Prokurorisë.

Mbrojtjet kanë argumentuar se mënyra e cila paneli i ka bërë pyetjet gjyqësore gjatë gjithë gjykimit kanë krijuar pikëpamje të paragjykimit dhe janë shkelur të drejtat për një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm ndaj të pandehurve.

ZPS-ja kishte parashtruar se kjo kërkesë e mbrojtjeve duhet të refuzohet duke shtuar se ajo synon të pengojë punën e trupit gjykues për gjetjen e së vërtetës dhe të kufizojë në mënyrë të papranueshme të drejtën e gjyqtareve për të marrë në pyetje dëshmitarë.

ZPS-ja ka shtuar se akuzat e mbrojtjes lidhur me dëmtimin e të pandehurve dhe paragjykimet janë proceduralisht të pabazuara dhe të pasakta.

Related Articles